Historiku i Fakultetit Filozofik

Fakulteti Filozofik është institucioni i parë dhe më i rëndësishëm arsimor i arsimit universitar katërvjeçar dhe pararendës i universitetit në Kosovë. Për afro 50 vjet ishte farkues i kuadrove arsimore për shkencat humanitare. Rruga e zhvillimit të tij ishte mjaft dinamike, ndërsa veprimtaria arsimore, shkencore konsiderohet mjaft e begatë dhe me rezultate të pamohueshme për aftësimin e kuadrit, fillimisht në fushën e filologjisë e të shkencave matematiko-natyrore, e më vonë në lëmin e shkencave filozofike, historike e humanitare.

Fakulteti Filozofik u themelua në tetor të vitit 1960. Fakulteti Filozofik, me seli në Prishtinë, në "gjirin e vet" fillimisht kishte gjashtë grupe: Grupi i Albanologjisë, i Gjuhës Serbokroate, i Matematikës, i Fizikës, i Kimisë, i Biologjisë. Pas një kohe të shkurtër u themeluan edhe grupet: Gjuhë dhe Letërsi Ruse dhe Gjuhë dhe Letërsi Angleze.

Në vitin e parë akademik 1960/61 u regjistruan 97 studentë të rregullt (60 shqiptarë, 32 serbë dhe 5 të tjerë) dhe 141 studentë në studime me korrespondencë. Në vitin e parë të themelimit, për mbajtjen e mësimit ishin të zgjedhur 7 mësimdhënës (2 shqiptarë dhe 5 serbë) dhe 7 bashkëpunëtorë (2 shqiptarë e 5 serbë). Prej tyre, 4 ishin doktorë shkencash dhe 1 magjistër.

Më 1961 u hapën edhe katedrat e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Gjuhës dhe Letërsisë Ruse dhe Gjuhës dhe Letërsisë Frënge, e pas saj edhe katedra e Orientalistikës dhe e Turkologjisë.

Më 1962 u hapën edhe tri katedra të reja: e Historisë, e Gjeografisë dhe e Pedagogjisë. Ndërkaq, në vitin shkollor 1963/64 në këtë institucion diplomuan 26 studentët e parë.

Si pasojë e zhvillimit të shpejtë, pastaj shtimit të madh të interesimit të të rinjve për regjistrim dhe mungesës shumë të theksuar për punonjës arsimorë me përgatitje të lartë universitare, më 20 shtator 1971 Fakulteti Filozofik u nda në Fakultetin Filozofik dhe në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore.

Në vitin shkollor 1972/73 në Fakultetin Filozofik u hapën edhe Katedra e Filozofisë - Sociologjisë.

Në vitin 1989 Fakulteti Filozofik u nda në Fakultetin Filozofik dhe Fakultetin e Filologjisë. Fakulteti, edhe në periudhën vijuese, krahas vështirësive të shumta, zhvillohej vazhdimisht, deri me ndërhyrjen e vrazhdë të autoriteteve serbe. Në vitet 1990/1991, Kuvendi i Republikës së Serbisë e suprimoi autonominë e Kosovës e me këtë rast i suprimoi edhe studimet në gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës. Si pasojë e një recesioni të pashembullt, studentët dhe mësimdhënësit shqiptarë, turq, ashkalinj e rom u dëbuan nga objektet  universitare.

Nga viti akademik 1991/1992 e deri me çlirimin e Kosovës, në qershor të vitit 1999, Fakulteti Filozofik, i përndjekur vazhdimisht nga dhuna e represionit policor serb, e vazhdoi me sukses veprimtarinë e vet  në objekte private, në pjesë të ndryshme të qytetit të Prishtinës.

Në korrik të vitit 1999, studentët dhe mësimdhënësit e Fakultetit Filozofik u kthyen sërish në objektet e tyre dhe e rifilluan veprimtarinë e tyre arsimore. Në rrethana krejtësisht të reja, u punua seriozisht në ristrukturimin e planeve dhe programeve të studimeve. Në këtë aspekt, në vitin 2001 u hap edhe Departamenti i Shkencave Sociale, me Drejtimet: Shkenca Politike dhe Administratë Publike, Departamenti i Psikologjisë dhe Departamenti i Etnologjisë, ndërkaq Departamenti Filozofi - Sociologji u nda në departamente të veçanta (Departamenti i Sociologjisë dhe Departamenti i Filozofisë).

Deri më tash, vetëm në Fakultetin Filozofik diplomuan gjithsej 5.106 studentë me mësim në gjuhën shqipe. Nga viti akademik 2001/2002, në Departamentin e Pedagogjisë ka funksionuar Drejtimi Edukimi i Fëmijëve me Nevoja të Veçanta, ndërkaq, që nga viti akademik 2006/ 2007, në kuadër të Departamentit të Pedagogjisë u hap edhe Drejtimi Studimor - Pedagogji Sociale.

Ndonëse planet dhe programet studimore u ndryshuan shumë herë, Senati i Universitetit të Prishtinës i miratoi përfundimisht në vitin 2001 planet mësimore të departamenteve të Fakultetit Filozofik, duke u mbështetur në rekomandimet e Deklaratës së Bolonjës për nivelin Bachelor.

Planet e studimeve u bashkëkohësuan dhe të ripërtërira u miratuan në Senatin e UP-së, në shtator të vitit 2004. Po këtë vit u aprovuan edhe planet mësimore për studime në nivelin Master për këto Departamente: Psikologji, Histori, Pedagogji, Shkenca Politike dhe Etnologji.

Në vitin  akademik 2004/2005, në Departamentet Psikologji, Shkenca Politike, Histori, Pedagogji dhe Etnologji filluan studimet e nivelit Mastert me planprograme të reja të mbështetura në rekomandimet e Deklaratës së Bolonjës.

Në vitin akademik 2008/2009, në Departamentet: Histori dhe Sociologji u regjistruan edhe kandidatët e parë në studime të doktoratës, të organizuara për herë të parë sipas rekomandimeve të Bolonjës.