KUJTESA PËRBALLË HARRESËS – 20 VJETORI I DËBIMIT NGA KOSOVA 1999-2019

    KUJTESA PËRBALLË HARRESËS – 20 VJETORI I DËBIMIT NGA KOSOVA 1999-2019 Sot, më datën 12 prill 2019, në Fakultetin Filozofik u prezantuan të dhënat e hulumtimit “KUJTESA përballë HARRESËS: 20 vjetori i dëbimit nga Kosova – 1999-2019”. Hulumtimi është realizuar nga studentët e vitit të dytë të Departamentit të Sociologjisë, në kuadër të lëndës Praktikumi Sociologjik, gjatë vitit akademik 2018/2019. Profesori i lëndës – Shemsi Krasniqi dhe asistenti Artan Krasniqi kanë udhëhequr procesin e realizimit të këtij hulumtimi. Sivjet hulumtimi u bë për herë të tretë, sepse herën e parë është bërë në vitin 2009 me rastin e 10 vjetorit dhe herën e dytë, në vitin 2014 me rastin e 15 vjetorit.

    Metodologjia e hulumtimit është komplekse, sepse janë përdorë disa metoda për mbledhjen e të dhënave, por metoda kryesore është intervista e thellë, ku janë bërë gjithsejtë 220 intervista, prej të cilave 70 i ka bërë gjenerata e studentëve që aktualisht është në vitin e dytë të programit BA në Sociologji.

    Përveç intervistave të thella, janë bërë edhe diskutime në Fokus Grup, si dhe është përdorur metodologjia vizuele, duke mbledhur fotografi, dokumentarë, artefakte të mbetura nga lufta, e sivjet edhe duke përfshirë edhe studentët e Fakultetit të Arteve, të cilët ekspozuan punimet e tyre, si: piktura, skulptura, posterë, fotografi dhe instalacione. Profesori i lëndës Shemsi Krasniqi falenderoi përzemërsisht të gjithë studentët e sociologjisë që kanë punuar në të tri valët e këtij hulumtimi, por edhe studentët e artit që kontribuan me ekspozitën e tyre. Studentët e sociologjisë po ashtu falenderuan profesorët e lëndës për mundësinë që iu kanë ofruar për të bashkëpunuar në këtë hulumtim, si dhe për kontributin aftësimin profesional.

    Hulumtimi ka për qëllim ruajtjen dhe arkivimin e kujtesës për luftën dhe dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga Kosova në vitet 1998-1999. Struktura e hulumtimit është po ashtu komplekse, sepse përfshinë tetë pjesë: 1 Situata para largimit nga shtëpia, 2. Dita e largimit nga shtëpia, 3. Udhëtimi në kolonë, 4. Jeta si refugjat, 5. Kthimi në Kosovën e lirë, 6. Fillimi i jetës së re, 7. 20 vjet pas, dhe 8. Porositë. Secila prej këtyre pjesëve është mjaft e pasur me nëntema, prej të cilave dalin detajet e rrëfyera nga respondentët në terren. Rrëfimet e mbledhura në terren janë të hollësishme.

    Të dhënat tregojnë se qytetarët e Kosovës nuk i harrojnë dot përvojat e luftës dhe janë në gjendje t’i tregojnë në hollësi përvojat dhe përjetimet e tyre prej ditës kur janë dëbuar nga shtëpia, deri në ditën e kthimit në Kosovën e lirë, ardhjes në shtëpi dhe rifillimit të jetës. Të dhënat paraqesin një trend që ka të bëjë me ruajtjen e kontakteve me familjet mikëpritëse në Shqipëri dhe Maqedoni, por edhe me vlerësimin e vendimit për kthim se a ka qenë i drejtë apo i padrejtë.

    Pas prezantimit, u zhvillua një diskutim, ku të pranishmit bënë pytje dhe komente për punën e studentëve dhe profesorëve. Të pranishëm në sallë kishte shumë studentë, profesorë dhe të interesuar tjerë. Të pranishëm ishin edhe trembëdhjet studentë të sociologjisë nga Universiteti i Gjenevës, së bashku me profesorin e tyre Sandro Cattacin.

    Studentët, profesorët dhe të pranishmit tjerë i përshëndeti Dekani i Fakultetit Prof. Dr. Bujar Dugolli dhe shefi i Departamentit të Sociologjisë Dr. Ardian Gola. Ata vlerësuan lartë punën e bërë në këtë hulumtim dhe nevojën për zhvillimin e hulumtimeve në fushën e kujtesës kolektive në Kosovë.








     

Arkiva e lajmeve

«shtator»
MaEnPrShDi
3112 3456
78910111213
14151617181920
21222324252627
2829301234
567891011