Thirrja për konferencën

22 Prill 2023
SHARE

Fakulteti Filozofik organizon:

Konferencë ndërdisiplinare

 

“Dekada e Fragjilitetit?

Komuniteti, Shoqëria dhe Shteti sot”

 

Prishtinë, Kosovë, 9 – 10 nëntor 2023

 

Fakulteti Filozofik organizon konferencën e përdyvjetshme “Komuniteti, shoqëria, dhe shteti sot”.  Kjo është një konferencë ndërdisiplinare që synon të mbledhë në një vend studiues dhe shkollarë të fushave të ndryshme: antropologë, filozofë, shkencëtar politikë, psikologë dhe sociologë, për të diskutuar dinamikat societale dhe për të kuptuar fragjilitetin me të cilin ballafaqohen komunitetet, shoqëritë dhe shtetet bashkëkohore. Fragjiliteti, ose brishtësia, sipas OECD-së, definohet si “kombimin i ekspozimit ndaj rrezikut dhe kapaciteteve të pamjaftueshme të shtetit, sistemit dhe/ose komuniteteve për të menaxhuar, absorbuar dhe zbutur ato rreziqe. Ai shfaqet në një spektër intensiteti në gjashtë dimensione: ekonomike, mjedisore, politike, të sigurisë, shoqërore dhe njerëzore”.

Komunitetet e forta janë burim i rëndësishëm për mirëmbajtjen e kohezionit social dhe ofrimin e sensit të përkatësisë. Raportet shoqëri-shtet janë njashtu të rëndësishme, sepse ato tregojnë si ndërveprojnë institucionet shtetërore me grupet shoqërore, si legjitimohen autoritet publike, dhe çfarë lloj politikash publike zbatohen për të mirën e publikut.

Në pesë vitet e fundit, bota është ballafaquara me ngjarje të mëdha historike, duke filluar nga Pandemia COVID-19, rritja e autoritarizmit të majtë e të djathtë gjithandej Evropës, agresioni ilegal dhe i pajustifikuar i Rusisë mbi Ukrainë, shpërngulja masive dhe e dhunshme e më shumë 89 milion njerëzve të pambrojtur në nivel global (si rezultat i eskalimit të konfliktit dhe dhunës që nga Afganistani, Siria e deri tek Ukraina), si dhe zhvillimet e fundit dramatike në fushën e inteligjencës artificiale dhe mungesën e kontrollit të kësaj fushe. Të gjitha këto ngjarje, dhe secila veç e veç, ka prodhuar rreziqe të ndryshme qoftë në nivel të komunitetit, shoqërisë apo shtetit.

Duke ofruar një platformë miqësore diskutimi për t’i adresuar këto rreziqe, konferenca fokusohet, por nuk kufizohet vetëm në këto makrotema:

  1. Kohezioni social dhe Rezilienca
  2. Paqendërtimi
  3. Gjendja e jashtëzakonshme
  4. Multikulturalizmi
  5. Shpërnguljet e dhunshme
  6. Institucionet formale dhe informale
  7. Autoritarizmi
  8. Bioetika

 

Në emër të Komitetit Shkencor të Fakulteti Filozofik, kemi kënaqësinë dhe nderin të ftojmë studiuesit dhe specialistët e interesuar që të dorëzojnë abstraktet dhe marrin pjesë në konferencën “Dekada e Fragjilitetit? Komuniteti, Shoqëria dhe Shteti sot”. Konferenca  mbahet në datat 9 dhe 10 nëntor 2023, në Prishtinë, Fakultetin Filozofik, Universitetin e Prishtinës, Kosovë.

Luteni të dërgoni abstraktet në adresën e emailit: [email protected], deri në datë 20 qershor 2023.

 

Formati i konferencës:

Konferencë dy ditore:

  1. Sesion plenar
  2. Sesione tematike

Konferenca do të mbahet me prezencë fizike dhe zhvillohet në dy gjuhë: shqip dhe anglisht.

Thirrja e publikuar me: 20 prill 2023.

Dorëzimi i abstrakteve: 20 qershor 2023.

Aprovimi i abstrakteve: 5 korrik 2023.

 

Thirrja për konferencën