E nderuar familje e profesoreshës Emine Arifi Bakalli,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ikjen në amshim të profesoreshës Emine. Profesoresha ka dhënë një kontribut të çmuar në ngritjen dhe ruajtjen e standardeve më të larta të shkencës së historisë. Ajo ka qenë një model për të gjithë kolegët historianë dhe jo vetëm për elokuencën e intelektuales, mendjemprehtësinë e hulumtueses dhe metodologjinë e mësimdhënëses.
Profesoresha Emine ka qenë shumë e dashur për studentët e brezave, të cilave u ka dhënë mësim. Për studentët, profesoresha ka mishëruar virtytet më të vyera akademike, ka personifikuar cilësitë më të mira njerëzore dhe ka përfaqësuar etikën më të lartë në punën shkencore.
Profesoresha Emine Arifi Bakalli ka qenë po ashtu një model reference për t’u ndjekur për shumë gra në shoqërinë e Kosovës. Ajo ka ngërthyer në veprimtarinë dhe profilin e saj profesional dhe publik atributet e mirëfillta të gruas intelektuale, të cilat përçohen në kohë dhe rrezatojnë përtej ciklit jetësor individual.
Më lejoni, që në emër të Fakultetit Filozofik dhe në emrin tim personal, t’Ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe të sinqerta për humbjen e profesoreshës Emini Arifi Bakalli.
I përjetshëm qoftë kujtimi i saj!
Prof. Asoc. Dr. Dashamir Bërxulli
Dekan i Fakultetit Filozofik