Prof. Kaltrina Kelmendi publikon në revistën shkencore me impakt faktor 10.570

17 Maj 2022
SHARE

Dr. Kaltrina Kelmendi, profesor asistente në Departamentin e Psikologjisë, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, së fundi, ka shënuar një arritje domethënëse shkencore, duke publikuar në revistën shkencore prestigjioze Trauma Violence and Abuse, revistë e cila ka një faktor impakti 10.570. Ky punim është rezultat i punës së përbashkët me prof. dr. Sherry Hamby, i realizuar në kuadër të qëndrimit studimor të dr. Kelmendit me bursën e Fulbright gjatë vitit akademik 2020/21 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dr. Kelmendi, së bashku me prof. Hamby, ka hulumtuar literaturën ekzistuese mbi konstruktin e reziliencës në vendet e Evropës Juglindore, të njohura për luftën dhe traumën, me fokus të veçantë në Kosovë.

Rezultatet e punimit prezantojnë gjetjet mbi konstruktin e reziliencës në shoqëritë kolektiviste, duke theksuar rëndësinë e dinjitetit, solidaritetit, aktivizmit social, si dhe shtetbërjes si disa prej forcave të rëndësishme, që promovojnë reziliencën. Gjithashtu, gjetjet theksojnë rëndësinë e dizajnimit të studimeve me qasje pjesëmarrëse për të kuptuar më në hollësi vlerat kulturore, që promovojnë reziliencën në këtë kontekst, dhe shfrytëzimin e këtyre gjetjeve për të promovuar mirëqenien psikologjike.

Punimi me gjetjet e hollësishme dhe profili akademik i znj. Kelmendi mund të gjendet në linqet e mëposhtme:

https://doi.org/10.1177/15248380221093693

https://staff.uni-pr.edu/profile/kaltrinakelmendi