Deklaratë

16 Nëntor 2022
SHARE

Këshilli i Fakultetit Filozofik i Universitetit të Prishtinës, i mbledhur në një mbledhje të jashtëzakonshme, më 16 nëntor 2022, del me qëndrim unik përmes kësaj deklarate:

Këshilli i Fakultetit Filozofik dënon fuqishëm veprimet e aktivistëve të organizatës ORCA, të cilët në datën 14 nëntor 2022, prishën ligjëratën e Profesor Bujar Dugollit në auditorin # 105 të Fakultetin Filozofik. Me këtë rast, dënon të gjitha sjelljet me të cilat aktivistët e lartëcekur prishën ligjëratën, duke intimiduar studentët e pranishëm, duke cënuar privatësinë e studentëve dhe profesorit në fjalë përmes xhirimit videor të paautorizuar dhe ekspozimit publik të studentëve dhe profesorit në situata të sikletshme dhe jonormale, si dhe duke thirrur dhe nxitur hapur studentët e pranishëm, që t’i kundërvihen profesorit të tyre. Parimi i paprekshmërisë së institucionit universitar është e garantuar me ligjet në fuqi dhe shkelja e këtij parimi është i papranueshëm për Këshillin e Fakultetit Filozofik.

Ligjërata është një nga institucionet kyçe të punës së përditshme pedagogjike dhe akademike në traditën universitare. Megjithëse ligjëratat në Universitetin e Prishtinës janë publike, ato nuk mund të pengohen, të ndërpriten apo të denigrohen nga cilido, prej brenda apo jashtë universitetit. Fakulteti Filozofik ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë i hapur dhe transparent në veprimtarinë e tij ndaj strukturave të vetë universitetit, institucioneve të shtetit dhe, më tutje, të gjithë sferës publike, për komunikim, ekspertizë, llogaridhënie, si dhe për verifikim të punës pedagogjike dhe shkencore, që bëhet nga stafi akademik. Në këtë pikë, Këshilli i Fakulteti Filozofik nxit dhe mirëpret avancimin e mekanizmave të brendshëm të Universitetit të Prishtinës dhe instancave të tjera institucionale për mbikëqyrjen e punës së universitetit dhe integritetin akademik.   

Këshilli i Fakulteti Filozofik është i shqetësuar me këto ngjarje dhe me gjuhën kërcënuese të drejtuar publikisht në mënyrë të përsëritur universitetit. Rrjedhimisht, presim me besim të plotë, që Universiteti i Prishtinës dhe organet e rendit t’i marrin seriozisht këto veprime, të cilat duhet të adresohen sipas ligjeve në fuqi. 

Prishtinë, më 16 nëntor 2022

Këshilli i Fakultetit Filozofik