Konferencë shkencore

28 Mars 2023
SHARE

UNIVERSITETI I PRISHTINËS “HASAN PRISHTINA”

FAKULTETI FILOZOFIK

DEPARTAMENTI I HISTORISË; INSTITUTI I HISTORISË DHE KOMUNA E FERIZAJT

                      Organizon                         

Konferencë shkencore

në temën:

“Ferizaj në rrjedhat e historisë”

10 qershor 2023

 

Karakteri dhe qëllimi i konferencës. Konferenca mëton, që nëpërmjet kumtesave dhe diskutimeve, me rastin e 150 vjetorit të themelimit të qytetit të Ferizajt të trajtojë në mënyrë kreative dhe shteruese tema si: “Autoktonia e trevës së Ferizajt”, “Kuvendi i Ferizaj 1908”; Roli i Ferizajt në kryengritjet e përgjithshme kundër Perandorisë Osmane 1908-1912; “Jeta sociale dhe kulturore e Ferizajt ndër shekuj”; “Kontributi i gruas së Ferizajt në lëvizjet politike”; “Ferizaj dhe demonstratat anti sistem”, “Trashëgimia kulturore e Ferizajt dhe e rrethinës së tij”etj. Konferenca ka karakter kombëtar, thellësisht shkencor dhe synon të mbledhë studiues nga fusha e historisë, dhe jo vetëm, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, të cilët me kontributet e tyre do të arrijnë të analizojnë dhe ndriçojnë aspekte dhe dimensione të reja të temës bosht të kësaj konference.

Tezat e mundshme për trajtim dhe diskutim:

  • Kryengritjet në rajonin e Ferizajt në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit;
  • Kuvendi i Ferizajt (1908);
  • Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912 – roli dhe kontributi i Ferizajt;
  • Zhvillimi i bisedimeve shqiptaro-osmane në Ferizaj dhe çlirimi i Shkupit;
  • Pushtimi i Ferizajt nga forcat serbe dhe rezistenca e shqiptarëve më 1912;
  • Ferizaj gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore;
  • Ripushtimi i Ferizajt (tetor 1918) nga forcat serbe;
  • Zhvillimi i Rezistencës së armatosur guerile (Lëvizjes Kaçake) në trevën e Ferizajt
  • Zhvillimet politike dhe socio-ekonomike në Ferizaj në periudhën ndërmjet Dy Luftërave Botërore;
  • Ferizaj gjatë Luftës së Dytë Botërore;
  • Zhvillimi i arsimit dhe i kulturës në Ferizaj në vitet e Luftës së Dytë Botërore;
  • Gjendja e Ferizajt në fund të Luftës së Dytë Botërore;
  • Veprimtaria e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH) në Ferizaj dhe krerët e saj;
  • Zhvillimi i veprimtarisë së Lëvizjeve të Fshehta (Ilegale) në rajonin e Ferizajt;
  • Organizimi dhe zhvillimi i demonstratave gjithpopullore në Ferizaj më 1968 dhe 1981;
  • Demonstrata e vajzave dhe grave të fshatit Balaj më 23 mars 1989
  • Zhvillimi ekonomik dhe socio-kulturor i Ferizajt në periudhën 1945-1990;
  • Jeta politike në Ferizaj në vitet ‘90-të;
  • Zona Operative e Nerodimes dhe zhvillimi i rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në trevën e Ferizajt;
  • Kontributi i Ferizajt në lirinë  dhe pavarësinë e  Kosovës.

Përshkrimi i aktiviteteve: 

Konferenca është një ditore dhe përmban pjesën solemne dhe atë shkencore. Në pjesën protokollare do të paraqiten me fjalë rasti përfaqësues të institucioneve qendrore të Kosovës, Rektori i UP-së, Dekani i Fakultetit Filozofik, si dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, ku edhe do të mbahet konferenca.

Pjesa shkencore zhvillohet me pjesëmarrësit e paraqitur me kumtesa dhe ofron mundësinë për të lexuar, debatuar apo ofruar çfarëdo kontributi shkencor lidhur me temën bosht të konferencës.

Pjesëmarrësit në Konferencë:

Studiues nga  universitete dhe institute shkencore nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe vende të tjera.

Kriteret e  përgatitjes dhe leximit të kumtesës

Secili pjesëmarrës do të ketë në dispozicion 7-10 minuta kohë për elaborim të kumtesës. Kumtesat për konferencë duhet të jenë të gjata përafërsisht 4 faqe. Të gjitha punimet duhet të jenë origjinale dhe të mos paraqiten njëkohësisht në një revistë ose konferencë tjetër. Punimet për botim pranohen në gjuhën shqipe (vetëm abstrakti duhet të jetë edhe në gjuhën angleze). Punimet duhen dërguar në adresën elektronike në vijim: [email protected]

Informacionet e nevojshme për formatimin e punimit

Abstrakti duhet të shkruhet në fletë standarde A4 me hapësirë 1'' në të gjitha 

anët, me fond 12 Times New Roman dhe hapësirë 1.5. Abstrakti duhet të përmbajë: Titullin, (150-300 fjalë). Pas titullit duhet të vendosen informacionet në lidhje me autorin (Emër, Mbiemër, Institucioni, ku punon). 

Shpenzimet e akomodimit, ushqimit dhe transportit mbulohen nga organizatorët. Për secilën kumtesë do të jetë nga një honorar.

Abstraktet në versionin përfundimtar do t’i nënshtrohen një vlerësimi nga Këshilli Shkencor dhe do të botohen në një libër abstraktesh në formë të printuar, për ditën që do të mbahet konferenca.

Afati i fundit për dorëzimin e abstrakteve15 maj 2023 në adresën elektronike: [email protected]

Njoftimi i pranimit të punimit bëhet më 31 maj 2023, datë kur edhe ju dërgohet agjenda e konferencës.

Thirrja për Konferencën shkencore me rastin e 150-vjetorit të themelimit të qytetit të Ferizajit (1873-2023)