Ligjëratë publike me temën “Education and Child Poverty: Governmental Support Strategies”/”Arsimimi dhe fëmijët në varfëri: strategjitë qeveritare mbështetëse

31 Maj 2024
SHARE

Departamenti i Sociologjisë në Fakultetin Filozofik ka kënaqësinë të njoftojë për vizitën e June O'Sullivan* në Kosovë, nga data 3 deri më 5 qershor.  Gjatë kësaj vizite, June O'Sullivan do të mbajë një sërë aktivitetesh të rëndësishme në lidhje me edukimin në fëmijërinë e hershme.

Të hënen më 3 qershor nga ora 15:00, në kuadër të Kuvendit të Sociologjisë do të organizohet një ligjëratë publike me temën “Education and Child Poverty: Governmental Support Strategies”/”Arsimimi dhe fëmijët në varfëri: strategjitë qeveritare mbështetëse.” Aktivitetet do të vazhdojnë me vizita nëpër institucione parashkollore dhe institucione tjera relevante që merren me edukimin parashkollor.

Gjithashtu, të mërkuren, më 5 qershor nga ora 10:00 në bashkëpunim me Departametin e Psikologjisë dhe Departamentin e Punës Sociale të Fakultetit Filozofik, Departamenti i Sociologjisë organizon punëtorinë të udhëhequr nga znj. Sullivan në temën “Social Pedagogy in Kosova: Methodology and Practical Approach”/”Pedagogjia sociale në Kosovë: metodologjia dhe qasja praktike” me pedagogë e studentë nga Fakulteti Filozofik, Fakulteti i Edukimit, psikologë shkollorë, organizata joqeveritare që merren me edukimin parashkollor dhe edukatorë e udhëheqës të institucioneve parashkollore.

*June O'Sullivan (e graduar me titullin e nderit OBE) është drejtore ekzekutive e London Early Years Foundation (LEYF), një organizatë jofitimprurëse që menaxhon mbi 42 institucione të vlerësuara të arsimit parashkollor në Londër, si dhe këshilltare e qeverive, organizatave dhe institucioneve akademike në Mbretërinë e Bashkuar dhe jashtë saj në temat dhe çështjet që kanë të bëjnë me edukimin parashkollor.

Ajo ka më shumë se 30 vite përvojë praktike në fushat e edukimit të fëmijërisë së hershme, shërbimeve sociale, ndërmarrjeve sociale dhe zhvillimit të mësimit. Qasja e saj ndaj edukimit në fëmijërinë e hershme është holistike, duke theksuar rëndësinë e edukimit emocional, kognitiv dhe fizik të fëmijëve. Ajo promovon një pedagogji gjithëpërfshirëse, kulturalisht të përgjegjshme dhe të përqendruar tek nevojat e fëmijës.

Znj. O’Sullivan ka shprehur interesimin e saj dhe ka gjetur kohë të vijë në një vizitë disaditëshe në Prishtinë në këtë vit. Ideja është që ajo të familjarizohet me ambiciet e MASHTI-t për edukimin dhe planet për të përmirësuar pozitën e Kosovës në shkallën e PISA-s, duke u përqendruar në edukimin parashkollor si një faktor i rëndësishëm i performancës në PISA, si dhe të ndihmojë Kosovën me ekspertizën e saj për të adresuar çështje që ndërlidhen me edukimin parashkollor.

Qëllimin e vizitës së saj do të mund ta kornizonim në të mirë të qasjes së Republikës së Kosovës në pedagogjinë sociale dhe qëndrueshmërinë (sustainability), në veçanti në adresimin e çështjeve të fëmijëve të varfër dhe në pozitë të disavantazhuar në edukimin parashkollor  në Kosovë drejt objektivit të rritjes së përfshirjes dhe qasjes së barabartë në edukim në fëmijërinë e hershme, të synuar edhe me “Strategjinë e Arsimit 2022-2026”.