Departamenti i Antropologjisë
Antropologjia është shkencë dhe dije, që studion dhe analizon jetën kulturore, shoqërore, politike dhe ekonomike, si në të kaluarën ashtu edhe të tashmen, në të gjithë shumëllojshmërinë e saj, me njerëzit në qendër.
Në departamentin tonë, studimet BA realizohen në dy drejtime:
- Antropologji Kulturore
- Arkeologji
Planprogramet u mundësojnë studentëve të mësojnë për historinë e mendimeve dhe jetesës kulturore, trashëgiminë kulturore, të angazhohen në projekte të ndryshme antropologjike, si në vendore, ashtu edhe në ato të universiteteve ndërkombëtare. Si një nga hapësirat më dinamike dhe kreative në UP, Departamenti i Antropologjisë kultivon e promovon studimin antropologjik të bazuar në qasje të kombinuar teorike dhe praktike, në kontekst të shumë debateve klasike dhe bashkëkohore brenda antropologjisë, shkencave shoqërore dhe dijeve humane në përgjithësi.
I themeluar në vitin 2001, me nismën e Prof. Dr. Drita Statovcit, dhe me përkrahjen e akademikëve dhe profesionistëve të shumtë, Departamenti është konsoliduar si programi i vetëm dhe i suksesshëm BA i antropologjisë në gjuhën shqipe. Në Departament, puna praktike është pjesë përbërëse e planprogramit të dy profileve, ku organizohet punë e vazhdueshme në terren, që prezantohet përmes seminareve, performancave, vizitave vrojtuese e intervistuese në terren, gërmimeve arkeologjike, restaurimit, konservimit, fotografimit, filmimit, ekspozitave dhe aktiviteteve të tjera.
Të fokusuar kryesisht në kontekstin historik dhe bashkëkohor kosovar, kërkimet tona janë po ashtu krahasuese dhe të përfaqësuara ndërkombëtarisht. Departamenti ka një numër projektesh kërkimore dhe marrëveshjesh shkëmbimi me universitete, institucione dhe organizata brenda dhe jashtë vendit, në fushës e antropologjisë dhe arkeologjisë. Në kuadër të këtyre projekteve, studentët aftësohen për hulumtime, punë praktike në terren, shkrim akademik dhe profesion. Po ashtu, studentët marrin njohuri në zhvillimin e argumentimit dhe analizës teorike të evidencës empirike dhe realizojnë punë me tema të ndërlidhura me gjuhën, familjen, racën, gjininë, artin, religjionin, shtetin, kombin, ligjet, bukën, veshjet, doket, zakonet, traditat.
Me anë të aktiviteteve kërkimore dhe pedagogjike në Fakultetin Filozofik (Programi i Etnografisë Vizuele, Arkivi për Video dhe Fotografi, Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore, Salla e Arkeologjisë, Instituti për Studime Sociale dhe Humanistike, Seminari i Antropologjisë), Departamenti i Antropologjisë krijon ndërlidhje në mes të akademisë, mësimit, dhe aplikimit të praksave në fusha të llojllojshme të punësimit.
Udhëheqës i Departamentit është Prof. Ass. Dr. Tahir Latifi (tahir.latifi@uni-pr.edu)
Për më shumë informata rreth aktiviteteve të Departamentit, shpalosni dokumentet më poshtë:
Programi mësimor apo syllabuset e lëndëve të programeve (2018-2023)
Doracaku vjetor i Departamentit
Vjetari informativ AA i Departamentit
Kalendari i Seminarit të Antropologjisë 2021
Deri në fund të vitit kalendarik (2021) do të mbahen edhe prezantimet në vazhdim:
Prof. Dr. Andrea Pieroni - University of Gastronomic Sciences Pollenzo, Itali
Etnobotanika dhe trashëgimia e ushqimit në Ballkan: Folklor apo shtyllë e zhvillimit të qëndrueshëm?
Prof. Ass. Dr. Shemsi Krasniqi – Universiteti i Prishtinës, Prishtinë
Ekologjia sakrale dhe etika ambientaliste
Prof. Asoc. Dr. Nebi Bardhoshi – Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Tiranë
Mbi antropologjinë e ujit: Natyra, kultura dhe ‘shpirtat‘ e shtetit bashkëkohor
Prof. Ass. Dr. Nita Luci dhe Dr. Linda Gusia - Universiteti i Prishtinës, Prishtinë
Hapësirat dhe vizionet e aktivizmit likuid: Transformimet e energjisë, solidaritetit dhe ambientit në Kosovë
Programi i studimit BA Antropologji
Literatura kryesore në programin BA Antropologji