Departamenti i Punës Sociale

Departamenti i Punës Sociale u themelua në vitin 2012 dhe është institucioni i vetëm arsimor në Kosovë, që ofron studime Bachelor në Punë Sociale. Sot, Departamenti i Punës Sociale ka një numër të konsiderueshëm të aplikantëve dhe kjo tregon, që studentët e shohin atë edhe si një program, që ofron dije multi-disiplinare.

Plan-programi i Departamentit të Punës Sociale ngërthen disiplina të ndryshme dhe përbëhet nga fushat si metodat e punës sociale: puna me raste, puna me familje, puna në komunitet, puna me grupe të margjinalizuara; psikologjia, sociologjia, legjislacioni, të drejtat e njeriut, këshillimi psiko-social, praktika profesionale, etj.

Studentët e diplomuar mund të punësohen në Qendra të Punës Sociale dhe organizata të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare në fushën e shërbimeve sociale si mbrojtja e fëmijëve, puna me familje, puna me të rinj, puna më të moshuarit, qendra korrektuese dhe rahabilituese për të mitur, puna me persona me nevoja të veçanta, strehimi familjar, strehimore për nëna dhe fëmijë, punë në komunitet, puna me grupet e margjinalizuara, puna me gratë që përjetojnë dhunë, organizata që punojnë në fushën e hulumtimeve, organizata që avokojnë për të drejtat e njeriut dhe ndryshim social etj.

Departamenti i Punës Sociale si pjesë të rëndësishme të plan programit ka dhe praktikën profesionale për studentë (sem.VI, 15 javë). Falë marrëveshjeve të bashkëpunimit, që ka me Departamentin e Politikave Sociale dhe Familjare (DPSF/MFPT), Qendrat për Punë Sociale dhe një numër të konsiderueshëm të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve tjera, studentëve i mundësohet ngritja e shkathtësive, përvetësimi i njohurive të reja, zgjerimi i rrethit profesional dhe angazhimi në praktikë profesionale në të gjitha këto institucione.

Departamenti i Punës Sociale me bashkëpunimin ndërkombëtar, që ka zhvilluar viteve të fundit vazhdimisht po fuqizon mobilitetin e studentëve dhe stafit si dhe po shkëmben eksperienca ndërkombëtare të punës sociale përmes profesorëve dhe studentëve vizitorë. Departamenti ka dhe bashkëpunim me universitete ndërkombëtarë, që i ofron mundësi studentëve të përfundojnë një semestër shkëmbyes (përmes programit Erasmus+) në universitetet si Hanze Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Groningen, Holandë, Ostbayerische Technische Hochschule (OTH) në Regensburg, Gjermani dhe Savonia Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Kuopia, Finlandë.

Po ashtu, përmes Alumni Punë Sociale, grupit formal të studentëve të Punës Sociale, ofrohet mundësi për zhvillim profesional, angazhim në hulumtime në fushën sociale, projekte në komunitet dhe mbeshtetje në aspektin e studimeve dhe karrierës.

 

Programi i studimit BA Punë Sociale