Departamenti i Sociologjisë

Departamenti i Sociologjisë është ndër departmentet e para të Fakultetit Filozofik, të Universitetit të Prishtinës. I pozicionuar në kontekst dinamik social, historik dhe politik, studimi i sociologjisë në Kosovë filloi për herë të parë në vitin akademik 1973/74, në Katedrën Filozofi-Sociologji. Trajektorja e studimeve sociologjike refleksive ka pasur zhvendosje dhe ndryshime të shumta strukturore gjatë viteve, për t’u zhvilluar si një program akademik, që përmbush nevojat e një sociologjie kritike. Duke parafrazuar përkufizime të shumta mbi sociologjinë, si studim i jetës sociale, i ndryshimeve shoqërore, strukturave dhe pabarazive sociale, kontributi i veçantë i sociologjisë mbetet t’i kuptojë, hulumtojë, krahasojë, analizojë dhe shpjegojë, çështjet më diverse të shoqërisë sot, si ato në nivelin lokal dhe kombëtar, ashtu edhe ato në atë global. Duke filluar që nga familja, socializimi, kultura, gjinia, mjedisi, diaspora, media, e deri te kombi, etnia, klasa, identiteti, shteti, sociologët në departamentin tonë studiojnë, hulumtojnë dhe analizojnë fenomenet sociale, që e strukturojnë shoqërinë kosovare sot.

Departamenti i Sociologjisë, duke pasur në themel të punës së vet hulumtimin, është përpjekur gjithmonë, që t’u ofrojë studentëve mundësi të shumta, brenda dhe jashtë kurrikulës, në mënyrë që edhe gjatë kohës së studimeve, ata të përfshihen në të gjitha fazat e kërkimit empirik, duke filluar që nga përzgjedhja e temës dhe shtrimi i pyetjes hulumtuese, e deri te prezantimi i rezultateve. Kujtojmë, se shtegun e departamentit tonë e shtroi Prof. dr. Fehmi Agani, njëri ndër themeluesit e Universitetit të Prishtinës dhe i Katedrës Filozofi-Sociologji, bashkë me profesorë tjerë të njohur, si Gani Boni dhe Ukshin Hoti, të cilët aplikuan dijen e tyre sociologjike në kohëra të trazura dhe rrethana historike tejet sfiduese.

Për të zhvilluar më tej dijen sociologjike, në vitin 2007/2008 u hap programi Master në Sociologji. Programi ishte konceptuar asisoji, që të jetë i përqendruar mbi çështje të ndryshme problemore. Më vonë, në vitin akademik 2014/2015, Departamenti i Sociologjisë hapi edhe studimet në nivel doktorate. Ndërlidhja dhe bashkëpunimi me një numër të konsiderueshëm studiuesish dhe me qendra të ndryshme kërkimore ndërkombëtare, si dhe zhvillimi i studimeve sociologjike rrënjosur në kontekstin vendor, por në dialog me atë të vendeve të tjera, mbetet ndër synimet kryesore të Departamentit të Sociologjisë.

 

Programi i studimit BA Sociologji 2022 -2027

Programi i studimit BA Sociologji

Programi i studimit MA Sociologji