Takim i Departamentit të Historisë

18 Maj 2022
SHARE

Në datat 6-8 maj, me iniciativë të Departamentit të Historisë të Universitetit të Prishtinës dhe me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e historisë, me pjesëmarrjen e Departamenteve të Historisë së Universitetit të Tiranës, Gjirokastrës, Tetovës, Korçës, Elbasanit dhe Shkodrës, u mbajt në Tetovë, Republika e Maqedonisë së Veriut, “Punëtori mes Departamenteve të Historisë të Universiteteve Shqiptare”. Gjithashtu, duke e ditur rëndësinë e trashëgimisë historike – kulturore të komunës së Tetovës për shqiptarët e kësaj komune, dhe duke qenë se punëtoria u mbështet edhe nga zt. Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës, atëherë një pjesë e punëtorisë iu kushtua edhe këtij segmenti. Prof. Asoc. Dr. Dashamir Bërxulli përgëzoi Departamentin e Historisë së UP-së për iniciativën dhe kolegët e departamenteve të tjera për përqafimin e saj. I pranishëm në takim ishte edhe zt. Kasami, i cili u uroi mirëseardhjen në Tetovë pjesëmarrësve dhe, pas diskutimeve të zhvilluara, u priu atyre në një vizitë vendeve të pasura me trashëgiminë historike e kulturore të Komunës së Tetovës.

Në punëtori, përveç tjerash, u diskutua mbi pasurimin e kurrikulave, hartimin e kurseve të përbashkëta, shkëmbimin e stafeve akademike dhe studentëve, organizimin e konferencave vjetore shkencore, si dhe ngritjen e grupeve të punës për indeksimin në SCOPUS të një reviste nga fusha e historisë me këshill botues ndërkombëtar.

Në fund të punëtorisë, u formuluan konkluzionet e saj, të cilat përqendrohen në çështje me rëndësi për të ardhmen e studimeve në fushën e historisë. Në kuadër të konkluzioneve të përgjithshme, palët u pajtuan, që takimi i radhës mes departamenteve të mbahet në Universitetin e Tiranës.