Departamenti i Psikologjisë organizoi konferencën “Shëndeti Mental në Shkollë: Intervenimet e Bazuara në të Dhëna”

19 Maj 2023
SHARE

Departamenti i Psikologjisë organizoi në datat 18 – 19 maj 2023 Konferencën Ndërkombëtare “Shëndeti Mental në Shkollë: Intervenimet e Bazuara në të Dhëna”. Konferenca, që këtë vit shënoi edicionin e parë, do të jetë një organizim i përvitshëm. Konferenca mblodhi bashkë akademikë, studiues të rinj, praktikues, politikëbërës dhe drejtues institucionesh, të cilët paraqitën dhe diskutuan mbi studimet e kryera nga Departamenti i Psikologjisë, në bashkëpunim me institucione dhe bashkëpunëtorë, me qëllim intervenimet në shkollë.

 

Konferenca u hap nga Prof. Asoc. Dr. Kaltrina Kelmendi, Shefe e Departamentit të Psikologjisë. Prof. Kelmendi falënderoi studiuesit për punën e tyre dhe shpjegoi nevojën për një konferencë të tillë.  Në ceremoninë hapëse të pranishëm ishin edhe zt. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, dhe znj. Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, të cilët përgëzuan organizatorët për konferencën dhe shprehën mbështetjen e tyre për një bashkëpunim më të ngushtë për intervenimet në shkolla. Po ashtu, të pranishmëve iu drejtua edhe znj. Besianë Musmurati, Drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, e cila foli për rëndësinë e intervenimeve në shkolla.

 

Dita e dytë e konferencës, u hap nga Prof. Asoc. Dr. Dashamir Bërxulli, Dekan i Fakultetit Filozofik, i cili nënvizoi rëndësinë e konferencës në plotësimin e shtyllës së rëndësishme të punës së universitetit, që ka të bëjë jo vetëm me komponentin e hulumtimit, por edhe të bashkëpunimit me shoqërinë për të gjetur zgjidhje për problemet me të cilat përballet ajo.

 

Në mbyllje të saj, konferenca u përshëndet nga Prof. Dr. Qerim Qerimi, Rektor i UP-së. Rektori Qerimi përgëzoi profesorët, studiuesit dhe studentët për organizimin e konferencës, duke theksuar rëndësinë e shëndetit mental në përgjithësi dhe shëndetit mental në shkolla për të gjithë shoqërinë. Rektori Qerimi inkurajoi dhe shprehu mbështetjen e Universitetit të Prishtinës për aktivitete të tilla dhe bëri thirrje për të punuar së bashku për të tejkaluar sfidat e përbashkëta.