Rreth nesh
Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës ofron një gamë të gjerë programesh studimi në fushat e shkencave shoqërore dhe humane. Përgjatë dekadave, Fakulteti Filozofik ka qenë faktor kyç në përgatitjen e profesionistëve, në edukimin qytetar dhe në emancipimin kulturor.
I vendosur në kampusin qendror të Universitetit të Prishtinës në zemër të kryeqytetit, rrethuar nga institucione të rëndësishme kulturore dhe arsimore, si dhe hapësira rekreative, Fakulteti Filozofik ofron një ambient të përshtatshëm studimi dhe shoqërimi për studentët e tij.
Për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe të shërbimeve ndaj studentëve, Fakulteti Filozofik ka ndërmarrë një sërë reformash. Këto përfshijnë nxitjen e pjesëmarrjes aktive të studentëve në procesin e studimit dhe krijimin e mundësive për praktikë profesionale në institucione publike dhe private.
Studio në Fakultetin Filozofik
Çdo vit, Fakulteti Filozofik mirëpret kandidatë për të studiuar në programet e tij themelore (BA) dhe postdiplome (MA). Ndiqni shpalljet e konkurseve për pranimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës dhe aplikoni për t’u bërë studentë në Fakultetin FIlozofik në njërin prej shtatë departamenteve të fakultetit:
- Departamenti i Antropologjisë
- Departamenti i Filozofisë
- Departamenti i Historisë
- Departamenti i Psikologjisë
- Departamenti i Punës Sociale
- Departamenti i Sociologjisë
- Departamenti i Shkencës Politike
Kërkimi shkencor
Kërkimi shkencor në Fakultetin Filozofik organizohet dhe udhëhiqet nga institutet kërkimore vijuese:
- Instituti i Antropologjisë (IAUP)
- Instituti i Psikologjisë
- Instituti i Sociologjisë
- Instituti për Studime Sociale dhe Humanistike (ISSH)
Si funksionon Fakulteti Filozofik
Punën pedagogjike dhe veprimtarinë kërkimore në Fakultetin Filozofik e kryen personeli akademik, që përbëhet nga profesorët, asistentët, lektorët, si dhe bashkëpunëtorët e angazhuar. Përveç zhvillimit të kurrikulës, mësimdhënies dhe organizimit të aktiviteteve jashtëkurrikulare, personeli akademik është aktiv në projekte kërkimore dhe botime, duke përmirësuar cilësinë akademike dhe duke ndërtuar bashkëpunime me institucione të tjera arsimore e kërkimore në botë.Fakulteti udhëhiqet nga dekani i ndihmuar nga prodekanët. Këshilli i fakultetit është organi vendimmmarës dhe këshillues për çështjet akademike dhe të tjera të fakultetit, ndërsa trupat e fakultetit mbikëqyrin aspektet akademike, kërkimore, etike dhe profesionale në fakultet. Për shërbimet administrative ndaj studentëve dhe personelit të fakultetit, përkujdeset sekretari dhe personeli administrativ.
Objektivat dhe strategjia
Puna dhe veprimtaria studimore, kërkimore dhe edukative e fakultetit orientohet nga Strategjia e Zhvillimit të Fakultetit Filozofik që, ndër tjerash, përcakton objektivat e kryesore të fakultetit:
· Sigurimi i cilësisë së programeve studimore;
· Përmirësimi i metodave të mësimdhënies;
· Avancimi i kërkimeve shkencore;
· Krijimi i një ambienti që promovon gjithëpërfshirjen.