Instituti i Psikologjisë në UP: Lansimi i udhëzuesve për mbështetjen e shëndetit mendor në shkolla të Kosovës

23 Nëntor 2023
SHARE

Instituti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, në bashkëpunim me Shoqatën Kosovare të Psikologëve Shkollorë dhe Qendrën për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, të mbështetur nga Projektit Mardi të Caritasit Zviceran, ka kënaqësinë të njoftojë lansimin e dy udhëzuesve, që synojnë të forcojnë mbështetjen për shëndetin mendor në shkollat e Kosovës.
Udhëzuesi i parë është i përqendruar në psikoedukimin në klasë, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për shëndetin mendor dhe mësimdhënies së strategjive për përballimin e stresit dhe ankthit tek fëmijët dhe adoleshentët (klasat 1 deri 9). Udh Udhëzuesi i dytë i dedikohet seancave individuale të këshillimit, duke trajtuar çrregullimet e mundshme të përshtatjes dhe simptomatologjinë te migrantët e riatdhesuar, refugjatët ose kërkuesit e azilit (klasat 1-9).
Projekti shkon përtej ndërhyrjes së menjëhershme dhe thekson forcimin e kapaciteteve organizative për të zhvilluar ndërhyrje të bazuar në prova në fushën e shëndetit mendor. Këto materiale sjellin një risi në fushën e shëndetit mendor për shkollat e Kosovës, duke kontribuar në mënyrë të dretëpërdrejtë në përmirësimin dhe zgjerimin e mundësive të kujdesit ndaj shëndetit mendor në komunitetin tonë.
Projekti është në përputhje me objektivin e Projektit të Caritasit Zviceran Mardi për të kontribuar në zhvillimin socio-ekonomik të komuniteteve të Kosovës dhe përgatitjen e institucioneve publike për të menaxhuar më efektivisht sfidat e migracionit dhe riatdhesimit.
Udhëzuesit përmbajnë seanca të strukturuara për mjedise si klasa dhe këshillim individual, udhëzues praktikë për implementimin e lehtë, dhe materiale lehtësisht të zbatueshme dhe të përshtatshme për një gamë të gjerë të moshash dhe nevojash.
Udhëzuesit tani janë në dispozicion nëpërmjet linkeve të mëposhtme: Manual 1 dhe Manual 2. Së shpejti, Instituti i Psikologjisë do të publikojë një raport vlerësimi mbi zbatimin e këtyre udhëzuesve në mjediset shkollore.