“Kontributi i Azem dhe Shote Galicës në çështjen kombëtare”
Departamenti i Historisë pranë Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Komunën e Vushtrrisë, në shënim të 100 vjetorit të vrasjes së Azem Galicës organizojnë konferencë shkencore me titull “Kontributi i Azem dhe Shote Galicës në çështjen kombëtare”.
Konferenca do t’i zhvilloj punimet në qytetin e Vushtrrisë me datë 15 korrik 2024, gjersa afati i fundit për ta dorëzuar abstraktin është data 25 qershor 2024. Studiuesit e interesuar për të marrë pjesë në këtë konferencë, abstraktin duhet ta dërgojnë në email adresën: [email protected], tek subjekti të vendoset mbishkrimi: Aplikim për konferencën shkencore_titulli i punimit.
Detajet e konferencës:
Konferenca mëton që të trajtojë në mënyrë kreative dhe shteruese tema si:
Roli Azem Galicës në organizimin e kryengritjes së Përgjithshme antiosmane më 1912;
Pasojat e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913;
Rezistenca e armatosur në Kosovë pas vitit 1913 dhe roli i Azem e Shote Galicës;
Ripushtimi i Kosovës nga Serbia më 1918 dhe krijimi i Mbretërisë Serbe-Kroate- Sllovene;
Trajtimi i çështjes shqiptare në Konferencën e paqes në Paris më 1919-1920;
Bashkëpunimi i Hasan Prishtinës e Azem Galicës në organizimin e rezistencës së armatosur në Kosovë
Reforma agrare, kolonizimi dhe Shpërngulja e shqiptarëve në vitet midis dy Luftërave Botërore;
Roli i Azem dhe Shote Galicës në Lëvizjen e armatosur guerile çlirimtare-‘Lëvizja Kaçake’ 1918-1928;
Zhvillimi i kryengritjes së armatosur në trevën e Vushtrrisë;
Rrethanat e krijimit të zonave të lira neutrale në vitet 1922-1924;
Roli i Azem Galicës në krijimin e Zona e Lirë Neutrale në Drenicë dhe në Zogori-Dumnicë;
Pasojat e shtypjes së zonave të lira neutrale në Kosovë më 1922-1924;
Reagimi i shtetit shqiptar ndaj Masakrave në Kosovë;
Personalitete historike të viteve ’20 të shekullit XX:
Azem e Shote Galica dhe Mehmet Konjuhi në shërbim të Lëvizjes Nacional Clirimtare;
Trajtimi në historiografinë shqiptare i Azem dhe Shote Galicës;
Kriteret e përgatitjes dhe leximit të kumtesës
Secili pjesëmarrës do të ketë në dispozicion 7-10 minuta kohë për elaborim të kumtesës. Kumtesat për konferencë duhet të jenë të gjata përafërsisht 4 faqe. Të gjitha punimet duhet të jenë origjinale dhe të mos paraqiten njëkohësisht në një tryezë ose konferencë tjetër.
Gjuha e konferencës: Shqip
Data të rëndësishme:
Afati i dërgimit të abstrakteve deri më: 25. 06. 2024
Njoftimi për pranimin / ripunimin e abstrakteve: 05.07.2024
Data e zhvillimit të konferencës: 15 korrik 2024. Vendi ku do të mbahet konferenca: Vushtrri
Udhëzimet për paraqitjen e abstrakteve:
Aplikimi në konferencë kryhet përmes dërgimit të abstrakteve në adresën email adresën:
Mirëpriten kontribute që lidhen me tematikën e konferencës, rezultate të studimeve dhe ide novative mbi zhvillimet e fundit të fushës.
Abstrakti dërgohet në format Word, dhe duhet të përmbaj emrin e autorit/autorëve, titullin, institucionin përfaqësues si dhe adresën e e-mailit.
Abstrakti nuk duhet të kalojë 300 fjalë.
Në brendësi duhet të evidentohen qartë: objekti i studimit, qëllimi i punimit, metodologjia e ndjekur, si dhe 5 fjalë kyçe.
Abstrakti paraqitet në gjuhët shqip dhe anglisht.
Rregullat e formatimit të abstraktit:
- Shkrimi: Times New Roman
- Madhësia e shkrimit 12 pt (font size)
- Fjalët kyçe: Italic
Këshilli Organizativ