Fakulteti Filozofik shënon 65-vjetorin me Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Shkencat shoqërore e humane dhe ndryshimi"

30 Tetor 2025
SHARE

Dje u mbajt ceremonia solemne e hapjes së Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Shkencat shoqërore e humane dhe ndryshimi”, me të cilën Fakulteti Filozofik (UP) shënoi 65-vjetorin e themelimit të tij si institucioni më i vjetër dhe udhëheqës në fushën e shkencave shoqërore dhe humane në Kosovë.

Ky përvjetor është moment reflektimi mbi rrugëtimin disa-dekadësh të Fakultetit, kontributin e tij në zhvillimin e dijes, mendimit kritik dhe formimin e shoqërisë dhe shtetit tonë, si dhe vizionin për avancimin e mëtejshëm të arsimit dhe kërkimit shkencor në vend.

Në fjalën hyrëse, Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Bekim Baliqi theksoi rolin historik të Fakultetit duke theksuar se nga ky institucion kanë buruar shumë prej zhvillimeve më të rëndësishme akademike dhe historike në vend. Ai theksoi se Fakulteti Filozofik ka qenë dhe mbetet hapësirë e dijes, mendimit kritik dhe veprimit shoqëror, ku janë formuar breza intelektualësh që kanë ndikuar në transformimet arsimore, shoqërore dhe politike të Kosovës.

Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Arben Hajrullahu poashtu vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Fakultetit Filozofik si institucioni i parë i arsimit të lartë në Kosovë, që vendosi themelet e zhvillimit universitar në vend. Ai theksoi se Fakulteti Filozofik përfaqëson pikënisjen e rrugëtimit akademik të Kosovës dhe ka shërbyer si bërthama nga e cila është ndërtuar Universiteti i Prishtinës dhe i gjithë sistemi arsimor e shkencor që kemi sot.

Në këtë ceremoni patëm nderin të mirëpresim edhe kolegë nga universitetet partnere. Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Jusuf Zejneli u shpreh me mirënjohje të veçantë ndaj Universitetit të Prishtinës, duke theksuar: “Sot ne falënderojmë Universitetin e Prishtinës, pasi Universiteti i Tetovës lindi nga këtu.”

Ceremoninë e nderuan me praninë dhe ligjëratat e tyre dy figura eminente të mendimit shqiptar:
Prof. Dr. Rexhep Ismajli – “Përpjekjet për gjuhë në horizontin 65-vjeçar të Fakultetit Filozofik”
Prof. Dr. Muhamedin Kullashi – “Ndërkombëtarizimi i Fakultetit Filozofik të Prishtinës”

Në këtë 65-vjetor të rëndësishëm, Fakulteti Filozofik riafirmon përkushtimin e tij për dijen, mendimin kritik dhe vlerat humane, themele këto që e kanë bërë Fakultetin një nga shtyllat më të rëndësishme të arsimit dhe zhvillimit shoqëror në Kosovë.