Data e Konferencës: 03 dhjetor 2025
Vendi: Prishtinë dhe online
Gjuha e konferencës: shqip dhe anglisht
Departamenti i Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka kënaqësinë të ftojë studiuesit vendorë dhe ndërkombëtarë për të marrë pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare që synon të eksplorojë zhvillimin, vazhdimësinë dhe transformimet në mendimin dhe praktikat sociologjike, në kontekstin e sfidave dhe dinamikave të shoqërisë bashkëkohore.
Në një kohë të tensioneve globale, krizave të shumanshme dhe ndryshimeve strukturore që prekën dhe po vazhdojnë të ripërcaktojnë organizimin e jetës shoqërore, konferenca jonë vjen si një ftesë për të rishikuar, riimagjinuar dhe riartikuluar sociologjinë prej periferive, jo vetëm si pozicione gjeografike por si hapësira të prodhimit alternativ të dijes, si vende të rezistencës teorike dhe praktike, si mundësi për të hapur mendimin sociologjik nga kornizat që shpesh e kanë kufizuar dhe determinuar atë.
Në kuadër të temës bosht të konferencës, presim kontributin e studiuesve në temat e mëposhtme, duke mos u kufizuar vetëm në to:
• Rrënjët dhe trashëgimia e mendimit sociologjik
• Trashëgimia e sociologjisë dhe zërat nga periferia
• Rrjedhat e mendimit social shqiptar - vazhdimësia dhe ndërprerjet
• Historiciteti, strukturat dhe ndërthurjet në zhvillimin e dijës sociologjike në Kosovë
• Sociologjia përballë inteligjencës artificiale – sfidat dhe mundësitë
• Të menduarit dhe të bërit sociologji sot – Sfidat nga terreni
• Evidenca dhe praktika empirike – Globalizimi i periferisë
• Ndikimi i sociologjisë në jetën publike dhe formësimin e politikave publike
• Drejt një sociologjie praktike dhe të angazhuar: ndërhyrja si përgjegjësi akademike
Udhëzimet e aplikimit
- Një titull, një abstrakt prej 200-300 fjalësh, 3-5 fjalë kyçe dhe informacion të shkurtër për autorin(ët) (deri në 100 fjalë për autor)
- Kumtesat duhet të jenë origjinale dhe të mos jenë dorëzuar apo botuar diku tjetër
- Kumtesat duhet të jenë në anglisht ose në shqip
- Të gjitha të dorëzohen në emailin: departamenti.sociologjise @uni-pr.edu
- Abstraktet do të shqyrtohen nga komiteti shkencor ndërkombëtar i konferencës
Datat e rëndësishme:
• Afati i dorëzimit të abstrakteve: 15 gusht 2025
• Njoftimi i pranimit: 15 shtator 2025
• Afati përfundimtar i dorëzimit të punimit: 15 nëntor 2025
• Data e konferencës: 03 dhjetor 2025
Regjistrimi dhe detajet e konferencës
• Pjesëmarrja është falas
• Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni faqen tonë të internetit në https://filozofiku.uni-pr.edu/ si dhe faqen në Facebook: https://www.facebook.com/departamentiisociologjise
Mundësi botimi
• Një numër i përzgjedhur i punimeve të cilësisë më të lartë do të mund të botohen në revistën shkencore të Departamentit të Sociologjisë, që do të jetë në dispozicion në formë të shtypur dhe në internet, pas konferencës.
Presim me padurim punimet tuaja dhe shpresojmë t'ju shohim në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës në dhjetor!