Thirrja për aplikim për konferencën e XVI-të për Ditën Botërore të Filozofisë

11 Shtator 2025
SHARE

 

Tema: Njeriu i së ardhmes

 

Relacioni i njeriut me të ardhmen gjithmonë është në rrafshin e projeksionit të asaj që ende nuk e kemi arritur. Kjo marrëdhënie mirëmbahet nga një tension i përhershëm në formën e krizës. Kjo krizë shfaqet mbi disa akse: a) raporti me politikën që ka tronditur fatet e njerëzimit,

b) raporti ynë më intim me ankthin, ekzistencën dhe vdekjen, që është rrafshi ekzistencial,

c) raporti ynë me zhvillimet e hovshme e rapide të teknosferës, dhe

d) raporti ynë me natyrën, degradimi i saj dhe sfidat e mëdha të eko-sistemit– pra rrafshi ekologjik.

 

Filozofia, që nga fillesat e saj në antikitet, ka shtruar premisat kryesore mbi definicionin e subjektit, e rrjedhimisht të njeriut. Për atë periudhë, më dominuese janë: “homo-mensura” e sofistëve (njeriu është masa e çdo gjëje), “auto-gnosia” e Sokratit (njohja e vetvetes), dhe koncepti i hiperkimenon- it te Aristoteli. Filozofi gjerman Martin Heidegger madje pohon se në këto refleksione antike – veçanërisht në konceptin e hiperkimenon-it, që tek latinët mori trajtën e subjectum – gjendet gjenealogjia e subjektit modern. Subjekt ky, që vjen e formalizohet në mënyrë radikale në mendimin e filozofit francez, Rene Descartes dhe mbi premisat teorike të së cilit, idealizmi gjerman ndërton një narrativë të tërë mbi subjektin dhe njeriun.

 

Njëri prej filozofëve më të rëndësishëm në historinë e mendimit, Immanuel Kant, është i pari që e shtroi pyetjen pertinente: Çka është njeriu? Por ai gjithmonë e lidh këtë pyetje me fatin e tij dhe me të ardhmen. Në një pasazh të tij shpotitës, ai pohon: “Nga një trung kaq i shtrembër, siç është përbërja e njerëzimit, nuk mund të ndërtohet kurrë diçka krejtësisht e drejtë.” Ky ndikim i Kantit gjendet i theksuar edhe te filozofia post-kantiane, më saktësisht te filozofia e antropologjisë me mendimtarët si Cassirer, Plessner, Scheler dhe Gehlen. Pikërisht Gehlen është ndër të parët që vë

në spikamë marrëdhënien mes njeriut dhe teknologjisë, kur pohon se: “Në epokën teknologjike, teknika zhvillohet me një dinamikë të vetën, e cila i shpëton në masë të madhe kontrollit të drejtpërdrejtë nga njeriu.”

 

Megjithëkëtë – në filozofi njihen edhe tri momente të rëndësishme të cilat kanë ndikuar në atë që sot njihet si periudhë post-humane. Shpallja e vdekjes së Zotit nga Friedrich Nietzsche përveç se ishte një kumt karshi dështimit të formës-Zot, ajo ishte një kritikë radikale e formacioneve teorike që kanë bërë të mundur lindjen e subjektit dhe teorizimin mbi atë se çfarë është njeriu. Në anën tjetër, filozofi tjetër gjerman, Martin Heidegger në kritikën ndaj humanizmit në eseun e tij “Letër mbi Humanizmin” kritikon dhe i hedh poshtë të gjitha përpjekjet paraprake për përkufizimin e ‘humanitas-it të humanizmit’ që nga antikiteti e deri te ekzistencializmi. Këto përpjekje për ridefinimin konceptual të njeriut dhe humanes marrin trajtë edhe më të ashpër në veprën klasike “The Order of Things” të filozofit francez Michel Foucault ku ky i fundit argumenton se njeriu dhe për rrjedhojë subjekti i ndërtuar në filozofi tashmë ka vdekur – nga po të njëjtat kushte që e kanë bërë të mundur lindjen e tij.

 

Vazhdimësinë e mesianizmit dhe të utopisë e gjejmë më pas te Shkolla e Frankfurtit, sidomos te Ernst Bloch me formulën e tij të njohur të ende-jo-qenësimit. Ndërkohë, potenciali i anti-utopisë dhe post-utopisë shfaqet fuqishëm tek mendimtari më origjinal i pas Luftës së Dytë Botërore, Hans Jonas, i cili përmes etikës së përgjegjësisë hap shtigje drejt një sensibiliteti bioetik në epokën e teknologjisë, përballë kërcënimit të holokaustit bërthamor dhe shkatërrimit të ekosferës.

 

Në ditët tona shtrohet pyetja: cila është e ardhmja e njeriut në këto ri-konfigurime të reja? A ka mbaruar regnum hominis, a jemi lodhur nga vetë njeriu, aq sa të kemi nevojë për refleksione inhumane, të cilat i ofron filozofia e akceleracionizmit dhe realizmit spekulativ? Ne, si qenie që e banojmë tokën në raport me botën, gjithmonë ngremë dilema përballë entropisë.

 

Andaj, i ftojmë jo vetëm filozofët, por edhe studiuesit e fushave të tjera, të bashkohen në reflektimin mbi këto tema thelbësore:

 

  • Pyetja e antropologjisë së Kantit në dritën e zhvillimeve të reja: Was ist der Mensch?
  • E ardhmja e njerëzimit në epokën digjitale
  • Humanizmi, anti-humanizmi dhe post-humanizmi
  • Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga filozofia e antropologjisë për të ardhmen e njeriut
  • Kibernetika: Nga natyra tek teknologjia
  • Shoqëria dhe Inteligjenca Artificiale
  • Bioetika dhe krizat ekologjike
  • Ekologjitë çliruese dhe e ardhmja e ekosistemit
  • Hakmarrja e Prometeut: Njeriu pas bombës atomike
  • Bioarti dhe sfida e sintezës mes teknologjisë dhe artit
  • Patologjia e kohës: anulimi i ngadalshëm i së ardhmes
  • Neuropolitika: Psika, politika dhe imazhi
  • Neuroshkencat: sfidat morale
  • Farmakologjia e frymës: si ta mendojmë mjekimin në epokën tonë
  • Metropoli: sfida e rimendimit të qytetit
  • Apokalipsi: e ardhmja dhe dimensioni estetik (filmi, arti dhe muzika)
  • ChatGPT dhe sfida e konceptimit të inteligjencës
  • A e ka zëvendësuar krevati në dhomën e ditës para televizionit psikologun? – sfidat e McLuhan-it
  • Hans Jonas: Utopia, anti-utopia, post-utopia dhe ardhmja jonë e përbashkët etike
  • Humanizmi (an)arkist: Levinas dhe Dufrenne
  • Sfida e Lyotard-it: refleksionet inhumane
  • Akceleracionizmi: nuk duhet ta ndalim entropinë, por ta shpejtojmë atë

 

Këshilli Organizativ i Edicionit të XVI-të të Konferencës për Ditën Botërore të Filozofisë

  • Hasnije Ilazi
  • Nehat Sadiku

Udhëzime dhe informata të përgjithshme rreth konferencës për ditën botërore të filozofisë

Për secilin punim kërkohet: titulli, një abstrakt prej 250–500 fjalësh, 5 fjalë kyçe si dhe afilimi institucional i autorit.

Punimet që do të prezantohen duhet të jenë të shkruara në gjuhën shqipe ose angleze. Të gjitha abstraktet duhet të dërgohen përmes emailit në adresat:

[email protected]

[email protected]

Abstraktet do të rishikohen dhe përzgjidhen nga Bordi ndërkombëtar shkencor i simpoziumit.

1. Afati për dorëzimin e abstrakteve: 15 Tetor

2. Njoftimi për pranimin e abstraktit: 30 Tetor

3. Data e mbajtjes së simpoziumit: 20 Nëntor

Konferenca do të mbahet në format hibrid: me prezencë fizike dhe online.

Pjesëmarrja në konferencë është falas, ndërsa ekziston mundësia e publikimit të punimeve në dy revista shkencore:

 

1. Agora Philosophia

2. Thema

Thirrja gjithashtu do të publikohet dhe mund ta gjeni edhe në faqen e Departamentit të Filozofisë dhe Shoqatës së Filozofëve të Kosovës në këto linqe:

https://www.facebook.com/profile.php?id=100086302687042

facebook.com/SHFK.NGO

Për të parë programet dhe pjesëmarrësit e edicioneve të kaluara, ju ftojmë të vizitoni faqet tona në rrjetet sociale:

facebook.com/SHFK.NGO

Ju mirëpresim në Prishtinë, në Departamentin e Filozofisë, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës dhe Shoqatën e Filozofëve të Kosovës.

Formulari i Aplikimit - Shqip - 2025