Fakulteti Filozofik në Universitetin e Prishtinës këtë vit feston 65-vjetorin e tij, si institucioni më i vjetër dhe udhëheqës në fushën e shkencave shoqërore dhe humane në Kosovë. Në këtë përvjetor të veçantë, më 29 dhe 30 tetor 2025 organizohet konferenca: “Shkencat shoqërore e humane dhe ndryshimi”, e cila synon të reflektojë mbi rrugëtimin disadekadësh të Fakultetit, duke theksuar rolin, arritjet, kontributet, zhvillimin, shanset dhe sfidat, si dhe duke ofruar një perspektivë largpamëse për zhvillimin e tij në të ardhmen.
Hapja solemne e konferencës do të mbahet më 29 tetor në Bibliotekën Universitare dhe do të shënohet me fjalimet e profesorëve eminentë, Prof. Rexhep Ismajli dhe Prof. Muhamedin Kullashi, të cilët do të ndajnë perspektiva për zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe ndërkombëtarizimit në historinë e Fakultetit Filozofik.
Dita e dytë e konferencës më 30 tetor do të fokusohet në panele tematike që hapin hapësira për diskutime dhe reflektime mbi çështje kyçe të botës akademike dhe të shoqërisë bashkëkohore:
Paneli 1: Universiteti, roli dhe partneritetet
Ky panel do të trajtojë dimensionin e bashkëpunimit universitar dhe rolin e shkencave shoqërore në ndërtimin e partneriteteve. Diskutimet do të përqendrohen tek metodologjitë në hulumtim dhe edukim, roli i shkëmbimeve ndëruniversitare në avancimin e studimeve albanologjike dhe historike, si dhe rëndësia e sociologjisë transnacionale për të kuptuar proceset shoqërore në një kontekst më të gjerë evropian. Gjithashtu, do të reflektohet mbi kontributin e profesorëve nga Shqipëria në ngritjen e Fakultetit dhe mbi rolin e shkencave sociale në shoqëritë e pasluftës për adresimin e së kaluarës.
Paneli 2: Sfidat sociale, mendimi kritik dhe historia e universitetit
Ky panel sjell në qendër të debatit sfidat që lidhen me mendimin kritik, reflektimin historik mbi vetë universitetin dhe problemin e mjedisit në filozofi. Diskutimet do të përfshijnë problematikat filozofike të kohës sonë, rolin e mendimit kritik në shoqëri, si dhe figura dhe intelektualë që kanë lënë gjurmë në historinë e Fakultetit Filozofik. Gjithashtu do të shqyrtohen aspektet e diferencimeve ideopolitike gjatë viteve 1981–1991, përjashtimet në kuadër të zhvillimeve politike dhe roli i universitetit në proceset politike e shoqërore të Kosovës.
Paneli 3: Migrimi, sfida dhe perspektiva
Migrimi mbetet një prej çështjeve më të rëndësishme shoqërore të ditëve tona, dhe ky panel do të adresojë dimensione të ndryshme. Diskutimet do të përqendrohen tek perspektivat historike e antropologjike të lidhura me strukturën e familjes dhe migrimin, ndikimi i perceptimeve mediatike në aspiratat për emigrim dhe sfidat e të rinjve mes aspiratave personale dhe realitetit shoqëror.
Paneli 4: Shëndeti publik dhe inteligjenca artificiale
Ky panel ndërthur dimensionet e shëndetit publik me sfidat dhe mundësitë e zhvillimit teknologjike, veçanërisht inteligjencës artificiale. Do të diskutohen tematika si trauma dhe ndikimi në shëndetin publik, mënyrat se si inteligjenca artificiale po ndikon tek studentët, si dhe potenciali i AI në edukim e hulumtim. Theks të veçantë do t’i kushtohet edukimit për përdorimin kritik e të përgjegjshëm të teknologjive të reja, për të ruajtur kulturën e leximit, mendimin analitik dhe zhvillimin e kapaciteteve akademike.
Konferenca do të bashkojë studiues nga Kosova, rajoni dhe Evropa, duke hapur mundësinë për shkëmbim akademik, krijimin e partneriteteve të reja dhe gjenerimin e ideve që ndikojnë në të ardhmen e shkencave shoqërore dhe humane.
Konferenca shërben si moment reflektimi mbi të kaluarën dhe një platformë vizionare për rolin e Fakultetit Filozofik në dekadat që vijnë.