Gjenerata e tretë e psikologëve të ardhshëm shkollorë në shërbim të komunitetit përmes Service Learning

02 Qershor 2026
SHARE

Departamenti i Psikologjisë i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës me kënaqësi njofton se katërmbëdhjetë studente të programit master Psikologji Shkollore dhe Këshillim janë certifikuar për realizimin me sukses të 50 orëve të angazhimit vullnetar gjatë një semestri akademik. Pjesa dërrmuese e këtij angazhimi u realizua në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri” në Prishtinë, ndërsa nisma u zgjerua edhe në SHFMU “Ganimete Tërbeshi” në Ferizaj.

Ky angazhim u realizua në kuadër të service learning, një qasje pedagogjike ku shërbimi direkt në komunitet ndërthuret me reflektimin e strukturuar dhe me objektivat mësimore të lëndës. Kjo qasje është integruar si komponentë e qëndrueshme e kurrikulës së lëndës "Të nxënit dhe Motivacioni", e udhëhequr nga Prof. Dr. Zamira Hyseni Duraku, me përkrahjen akademike të Asst. Dr. Linda Hoxha. Kjo është gjenerata e tretë radhazi që përfshihet në këtë nismë.

✦    ✦    ✦

AKTIVITETET E REALIZUARA

Përgjatë një semestri akademik, studentët realizuan dy lloje aktivitetesh kryesore: tutorimin individual “një me një” me nxënësit e identifikuar nga shkolla për nevojë shtesë në mbështetje të proceseve mësimore, dhe një seri sesionesh psikoedukuese të dizajnuara sipas grup-moshës dhe nevojave reale të nxënësve.

Përmes tutorimit, studentët zbatuan parimet e mësimit të individualizuar, duke përshtatur materialet dhe aktivitetet mësimore sipas ritmit dhe nevojave të secilit nxënës. Përgjatë këtij angazhimi të drejtpërdrejtë me nxënësit, ata bashkëpunuan ngushtë me stafin e shkollës dhe me familjet, duke ndërtuar një mbështetje të koordinuar rreth secilit fëmijë.

Tutorim individual “një me një”, i përshtatur sipas ritmit të secilit nxënës.

Sesionet psikoedukuese u zhvilluan në klasat 5–9 të shkollës “Naim Frashëri”, duke arritur drejtpërdrejt te rreth 175 nxënës. Temat u përzgjodhën në bashkëpunim me psikologun e shkollës dhe stafin pedagogjik, për t’iu përgjigjur sfidave aktuale të nxënësve. Ato u përqendruan te mirëqenia emocionale dhe vetëvlerësimi, te marrëdhëniet e shëndetshme dhe parandalimi i bullizmit, te siguria dhe mendimi kritik në hapësirën dixhitale, si dhe te mbështetja e proceseve të të nxënit dhe parandalimi i ankthit akademik.

Të dyja këto linja pune ndoqën parimet e mësimit gjithëpërfshirës dhe të dëshmive empirike nga literatura e fushës.

Foto të realizuara pas sesioneve psikoedukuese me nxënësit e klasave 5–9 në SHFMU “Naim Frashëri”.

✦    ✦    ✦

“Dija akademike merr vlerën e vet të plotë kur vihet në shërbim të komunitetit.”

REFLEKTIME NGA PËRVOJA

Service learning niset nga një ide e thjeshtë por e fuqishme: dija akademike merr vlerën e vet të plotë kur vihet në shërbim të komunitetit. Përmes këtij angazhimi, studentët tanë jo vetëm forcojnë kompetencat profesionale, por edhe zhvillojnë ndjeshmërinë, etikën dhe qëndrimet prosociale që kërkon profesioni i tyre. Njëkohësisht, kjo qasje sjell përfitime konkrete për institucionet partnere dhe për përfituesit e drejtpërdrejtë, siç ishin, në këtë rast, nxënësit që morën mbështetje individuale dhe që përfituan nga sesionet psikoedukuese të realizuara nga studentët tanë. Kjo mbështetje është veçanërisht e vlefshme në kontekste ku resurset për të përkrahur grupe të caktuara të qytetarëve janë të kufizuara.

Hulumtimet që kemi zhvilluar për të matur efikasitetin e kësaj qasjeje në kontekstin tonë e dëshmojnë këtë në mënyrë sistematike. Një prej studimeve tona tregoi që studentët që marrin pjesë në service learning shfaqin rritje të vetë-efikasitetit profesional, të gatishmërisë për vullnetarizëm dhe të qëndrimeve pozitive ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuar. Një studim tjetër dokumentoi që angazhimi i studentëve në tutorimin një me një ka sjellë përfitime të shumta akademike dhe socio-emocionale për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore. Gjithashtu, një studim i yni i realizuar gjatë periudhës së pandemisë konstatoi që mbështetja individuale, e ofruar me përkushtim, kompenson në masë domethënëse boshllëqet e sistemit arsimor që thellohen në rrethana të vështira.

Prandaj, jam jashtëzakonisht krenare për përkushtimin e secilës gjeneratë të studentëve, të cilët, përmes dedikimit të tyre, e kanë jetësuar këtë nismë.

— Prof. Dr. Zamira Hyseni Duraku, Udhëheqëse e lëndës “Të nxënit dhe Motivacioni”

 

TRI GJENERATA, NJË VIZION

Lidhja e akademisë me komunitetin nuk është ngjarje e veçuar, por tashmë traditë e qëndrueshme e programit master Psikologji Shkollore dhe Këshillim. Vit pas viti, çdo gjeneratë e re e ka pasuruar këtë përvojë. Deri më tani, kjo nismë ka përfshirë gjithsej 39 studentë nga tri gjeneratat radhazi.

Gjenerata e parë

 

Gjenerata e dytë

 

Gjenerata e tretë

 

 

Bashkëpunimi i vazhdueshëm me Departamentin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës është një vlerë e shtuar e jashtëzakonshme për shkollën tonë. Studentët e programit master kanë sjellë energji dhe ide bashkëkohore në mjedisin tonë mësimor. Mbështetja individuale për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore ka pasur ndikim domethënës, ndërsa sesionet psikoedukuese kanë hapur tema themelore për mirëqenien e nxënësve. I jam falënderuese mësimdhënësve dhe stafit tonë që kanë mbështetur studentet, si dhe prindërve për besimin që na dhanë. Pa këtë frymë bashkëpunimi, kjo nismë nuk do të ishte e mundur.

— Merita Haxhiu Hashani, Drejtoreshë e SHFMU “Naim Frashëri”, Prishtinë

 

Të punosh përkrah studentëve të programit master në Psikologji Shkollore dhe Këshillim ka qenë një përvojë frymëzuese. Ata kanë sjellë në shkollë ndjeshmëri profesionale dhe gatishmëri për t’u angazhuar me përgjegjësi në çdo aktivitet. Prania e tyre ka pasuruar punën e shërbimit psikologjik dhe pedagogjik dhe ka krijuar mundësi reflektimi për praktikën tonë të përditshme.

— Adis Shefkiu, Psikolog i SHFMU “Naim Frashëri”

 

Realizimi i sesionit psikoedukues me nxënësit ishte një nga përvojat më kuptimplota të studimeve të mia master. Kur i sheh nxënësit të flasin hapur për çështjet që ndikojnë mirëqenien e tyre psikologjike dhe të nxënit, kupton sa e rëndësishme është të krijojmë hapësira të sigurta për ta.

— Albiona Kadriu, studente, MA në Psikologji Shkollore dhe Këshillim

 

Puna individuale me nxënësin tim më ka ndryshuar mënyrën se si e kuptoj profesionin. Në fillim ishte sfidë: të gjeja qasjen e duhur, të kuptoja se çfarë funksionon pikërisht për atë fëmijë. Me kohë kuptova se thelbi qëndron te bashkëndjesia — të dëgjosh fëmijën, të identifikosh pikat e tij të forta dhe t’i ofrosh mbështetje e komunikim që e bëjnë të ndihet i sigurt. Kur ai ndjeu se dikush beson në të, nisi të përparojë në mësime, ndërsa unë mësova se sa shumë jep një marrëdhënie e ndërtuar mbi besim. Në fund, të dy mësuam.

— Eriona Kabashi, studente, MA në Psikologji Shkollore dhe Këshillim

 

✦    ✦    ✦

STUDENTET E CERTIFIKUARA

Certifikatat e angazhimit vullnetar iu ndanë studenteve të gjeneratës së tretë:

Albiona Kadriu    ·    Blerta Bunjaku    ·    Dijellza Shala    ·    Dua Hyseni    ·    Eriona Kabashi    ·    Ernisa Krasniqi    ·    Estri Përgjegjaj    ·    Jonida Osmani    ·    Laureta Bunjaku    ·    Leonora Zhegrova    ·    Melisa Dodaj    ·    Nuela Morina    ·    Suela Gjikokaj    ·    Valëza Shamolli

✦    ✦    ✦

Departamenti i Psikologjisë synon ta zgjerojë më tej këtë model bashkëpunimi. Po ashtu, mësimet e nxjerra nga ky angazhim disavjeçar sugjerojnë se kjo qasje mund të shërbejë si model për përfshirjen e service learning në kurrikulat e programeve të tjera të Universitetit të Prishtinës, përtej Departamentit të Psikologjisë. Lexuesit e interesuar për mënyrën e realizimit dhe rezultatet e service- learning mund t’i konsultojnë studimet e mëposhtme:

Hyseni Duraku, Z., & Nagavci, M. (2025). The role of service-learning in psychology students’ community engagement, self-efficacy, volunteerism and attitudes toward children with disabilities. On the Horizon: The International Journal of Learning Futures, 33(2), 265–282. https://doi.org/10.1108/OTH-10-2024-0063

Hyseni Duraku, Z., & Nagavci, M. (2026). Benefits of academic tutoring and socio-emotional support for children with disabilities: lessons learned during the COVID-19 pandemic. International Journal of Educational Reform, 35(2), 348–365. https://doi.org/10.1177/10567879231202486

Hyseni Duraku, Z., Hoxha, L., & Buqaj, B. (2025). One-on-one tutoring for children with special educational needs: a qualitative multiple-case pilot study in a Kosovo public school. Journal of Children’s Services, 20(3), 94–110. https://doi.org/10.1108/JCS-09-2024-0043