“Lëvizjet shoqërore dhe dinamikat e ndryshimit: Mobilizimi, transformimi dhe rezistenca”
Data e Konferencës: 25 nëntor 2026
Vendi: Prishtinë dhe online
Gjuha e konferencës: anglisht dhe shqip
Departamenti i Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës ka kënaqësinë të ftojë studiuesit vendorë dhe ndërkombëtarë për të marrë pjesë në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare të Sociologjisë, që ka për temë “Lëvizjet shoqërore dhe dinamikat e ndryshimit: Mobilizimi, transformimi dhe rezistenca”.
Në një botë të karakterizuar nga pasiguria, polarizimi politik, përshpejtimi teknologjik, krizat klimatike, migrimi dhe rikonfigurimi i marrëdhënieve shoqërore, lëvizjet shoqërore mbesin forca e artikulimit për ndryshim dhe sfidimi i strukturave ekzistuese të pushtetit. Krahas proceseve të mobilizimit e të veprimit kolektiv, shoqëritë bashkëkohore karakterizohen edhe nga rezistenca, kundër-lëvizjet dhe format e reja të konfliktit, të cilat ndikojnë në drejtimin dhe intensitetin e transformimeve shoqërore.
Konferenca synon të krijojë një hapësirë për diskutimin e proceseve të mobilizimit, ndryshimit dhe rezistencës, duke lidhur zhvillimet në shoqërinë shqiptare, në rajon dhe në nivel global. Ajo mirëpret kontribute që trajtojnë lëvizjet shoqërore si aktorë të ndryshimit, por edhe analizojnë kushtet, kufijtë dhe pasojat e veprimit kolektiv në kontekste të ndryshme politike, ekonomike, kulturore dhe teknologjike.
Në kuadër të temës bosht të konferencës, presim kontributin e studiuesve në temat e mëposhtme, duke mos u kufizuar vetëm në to:
- Protestat dhe horizontet politike
- Populizmi dhe demokracia sot
- Pabarazia, përjashtimi dhe mobilizimi shoqëror
- Rinia, mobilizimi dhe aktivizmi shoqëror: potencialet dhe kufijtë e angazhimit
- Lëvizjet shoqërore në shoqëritë shqipfolëse dhe në rajon
- Kultura, identiteti, gjinia dhe politikat e përkatësisë
- Kujtesa kolektive, trashëgimia kulturore dhe trashëgimitë e lëvizjeve shoqërore
- Teknologjia, inteligjenca artificiale dhe veprimi kolektiv
- Përfaqësimi mediatik i lëvizjeve shoqërore
- Migrimi, mobiliteti punësor dhe transformimi shoqëror
- Mjedisi, tranzicioni i gjelbër dhe drejtësia klimatike
- Qyteti, hapësira publike dhe veprimi kolektiv
- Sporti, identitetet kolektive dhe mobilizimi shoqëror
- Të drejtat e punëtorëve, siguria në punë dhe lëvizjet sindikale
Udhëzimet e aplikimit:
• Një titull, një abstrakt prej 200-300 fjalësh, 3-5 fjalë kyçe dhe informacion të shkurtër për autorin(ët) (deri në 100 fjalë për autor)
• Kumtesat duhet të jenë origjinale dhe të mos jenë dorëzuar apo botuar diku tjetër
• Kumtesat duhet të jenë në anglisht ose në shqip
• Të dorëzohen në emailin: [email protected]
• Abstraktet do të shqyrtohen nga komiteti shkencor ndërkombëtar i konferencës
Datat e rëndësishme:
• Afati i dorëzimit të abstrakteve: 04 shtator 2026
• Njoftimi i pranimit: 25 shtator 2026
• Afati përfundimtar i dorëzimit të kumtesës (1500 – 1800 fjalë): 10 nëntor 2026
• Data e konferencës: 25 nëntor 2026
Regjistrimi dhe detajet e konferencës
• Pjesëmarrja është falas
• Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni faqen tonë të internetit në https://filozofiku.uni-pr.edu/ si dhe faqen në Facebook: https://www.facebook.com/departamentiisociologjise
Presim me padurim punimet tuaja dhe shpresojmë t'ju shohim në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës në nëntor!