Ky projekt synon të dokumentojë rrëfimet e të mbijetuarve të dhjetë (10) masakrave Kosovë, të kryera në gjatë periudhës së luftës së viteve 1998-1999, për të mbledhur dhe ruajtur përvojat personale, traumat, dhimbjet dhe përpjekjet për rezistencën e viktimave të luftës. Projekti në fjalë synon të mbledhë, dokumentojë dhe promovojë rrëfimet e të mbijetuarve dhe të dëshmitarëve okularë të 10 masakrave. Kësisoj, synohet të mblidhen rreth 1000 rrëfime autentike.
Kujtesa e masakrave në Kosovë: dokumentimi i kujtesës së të mbijetuarve të masakrave në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999, ka për qëllim krijimin e një fondi gjithëpërfshirës dokumentar të përjetimeve dhe përvojave të dhjetë (10) masakrave të selektura; ruajtjen e provave historike të masakrave dhe krijimin e një arkivi të plotë me përvojat e të mbijetuarve të masakrave në Kosovë.
Bazuar në mandatin ligjor dhe përvojën e treguar në hulumtim dhe dokumentim, Instituti i Antropologjisë (IAUP), në bashkëpunim me Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Bibliotekën Kombëtare të Kosovës (BKK) dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, do të realizojnë dokumentimin kujtesës së dhjetë (10) masakrave të kryera në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Projekti mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Masakrat janë përzgjedhur në bazë të disa kritereve: madhësia e numrit të viktimave, diversiteti tek viktimat, shpërndarja gjeografike, mosha/numri i të mbijetuarve të masakrës specifike.
Masakrat e përzgjedhura për këtë projekt janë:
- Masakra e Mejës (27 prill, 1999);
- Masakra e Makocit (21 prill 1999);
- Masakra e Poklekut (17 prill 1999);
- Masakra e Qyshkut (14 maj 1999);
- Masakra e Lubeniqit (25 maj 1998 dhe 1 prill 1999);
- Masakra e Krushës së Vogël (25-27 mars 1999);
- Masakra e Reçakut (15 janar 1999);
- Masakra e Suharekës (26 mars 1999);
- Masakra e Studimes (2-3 maj 1999);
- Masakra e Sllovisë (1516 prill 1999).
Me këtë rast, bazuar në Memorandumin e mirëkuptimit mes palëve të lartpërmendura (nr. Protokoli i UP-së: 01/295, datë 29.04.2025) Instituti i Antropologjisë, Universiteti i Prishtinës (IAUP) shpall këtë konkurs për rekrutimin e 15 intervistuesve për projektin Kujtesa e masakrave në Kosovë: dokumentimi i kujtesës së të mbijetuarve të masakrave në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999
Institucioni:
Instituti i Antropologjisë, UP (IAUP)
Titulli i punës: intervistues në projektin Kujtesa e masakrave në Kosovë: dokumentimi i kujtesës së të mbijetuarve të masakrave në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999
Mënyra e kompensimit:
Një intervistë = 100.00 euro
Gjithsej do të realizohen rreth 1000 intervista
Vendi: Prishtinë
Detyrat dhe përgjegjësitë:
- Të ndjekin të gjitha trajnimet e organizuara në kuadër të projektit si: udhëzimet etike, metodike, teknike dhe praktike;
- Të marrin pjesë në identifikimin e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të masakrës specifike;
- Të marrin pjesë në takimet fillestare me banorët e zonave me qëllim të sensibilizimit për projektin në fjalë;
- Realizimi i intervistave me standarde të larta etike dhe profesionale.
Shkollimi i kërkuar dhe përvoja:
- Të diplomuar ose studentë në Fakultetin Filozofik, (përparësi kanë të diplomuarit apo studentët në Departamentin e Antropologjisë dhe Sociologjisë);
- Të dorëzohet CV me detajet e shkollimit dhe përvojës dhe, në veçanti përvojës paraprake në realizimin e intervistave në terren;
- Së paku një rekomandim që dëshmon përvojën në këtë fushë.
Përzgjedhja e kandidatëve:
Përzgjedhja e kandidateve do të bëhet nga komisioni profesional, përmes intervistimit të secilit kandidat, që i plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë konkurs.
Procedurat e konkurrimit:
Konkursi është i hapur për të gjithë kandidatët e interesuar që i plotësojnë kriteret e përcaktuara në konkurs.
Kohëzgjatja e emërimit: 3 vite
Dokumentacioni i kandidatëve të interesuar duhet të dërgohet deri më 14.07.2025 në adresën elektronike: [email protected].